Sveçla i përgjigjet Vuçiqit, publikon fotot e policit të plagosur

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili në një konferencë për media të shtunën ka thënë se polici Ekrem Neziri u lëndua nga xhamat e jo nga plumbat.
Sveçla ka thënë se Vuçiqi nuk po ka më arsyetime dhe i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, “atij të propangaduesit, siç e kishte emrin Ministria që ai drejtonte në kohën e Millosheviqit”.

“Sulmet ndaj zyrave të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë”, ka shkruar Sveçla në Facebook ku ka publikuar disa fotografi të policit të Kosovës, Ekrem Neziri.

Këto të pavërteta, siç thotë Sveçla, janë përpjekje të dështuara të Vuçiqit që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.
“Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë. Propaganda e tij më nuk gjen adresë, askund”, ka shtuar ai.
Sveçla në fund ka thënë se “do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”./21Media

Back to top button