Sveçla: Migrimi i parregullt sfidë kryesore për të ardhmen

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se Kosova e konsideron migrimin e parregullt si një nga sfidat kryesore në të ardhmen.
Ai po ashtu shtoi se një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është luftimi dhe parandalimi i migrimit të parregullt.
Ai këto deklarata i bëri në Konferencën Ministrore “Menaxhimi i qëndrueshëm i migrimit në Ballkanin Perëndimor” në Shkup.
“Me këtë rast ministri Sveçla shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për adresimin e sfidave nga flukset e migracionit si rrjedhojë e dinamikave të reja të sigurisë dhe më gjërë, duke theksuar rëndësinë e hartimit të politikave të qëndrueshme të migracionit, të ndërtuara mbi një konsensus politik me qëllim të reagimit dhe parandalimit të formave të reja të migrimit.”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se gjatë fjalimit të tij, ministri Sveçla prezantoi rezultatet e arritura në luftimin e kontrabandës me migrantë, ku vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka inicuar 32 raste të kontrabandës me migrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve. Gjatë të njëjtës periudhë Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 grupe kriminale dhe ka arrestuar 28 persona për kontrabandim me migrantë.
“Ministri Sveçla theksoi nevojën për tu përgjigjur situatave të reja të krijuara si rezultat i luftës së paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka ndikuar edhe në rritjen e flukseve të migrimit, kryesisht gra dhe fëmijë e ku deri më tani rreth 5 milionë refugjatë janë regjistruar në BE dhe më gjërë, dhe shprehur edhe njëherë gatishmërinë e Qeverisë që të strehojmë deri 5000 refugjatë si dhe kontributin që si Kosovë kemi dhënë në mbrojtje të gazetarëve ukrainas, ku tashmë 11 prej tyre jetojnë dhe punojnë në Kosovë.”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button