Sveçla: Në Banjskë ishin mbi 80 terroristë, Radoiçiqi e ka mbështetjen e Vuçiqit
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se mbi 80 terroristë ishin të përfshirë në sulmin e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe vet Qeveria e Serbisë janë të përfshirë në këtë akt terrorist.
Më 24 shtator, një grup terrorist në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka”, tha Sveçla.
Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.
“Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80”, tha Sveçla.
Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.