Sveçla: Në veri të Kosovës vazhdimisht ka shkelje të ligjit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, propozoi shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.
“Nga data 1 nëntor, do ta zbatojmë me përpikëri ligjin e ri për targat”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla, ka thënë se në veri të Mitrovicës vazhdimisht shkelet ligji.
“Në vazhdimësi ka shkelje të ligjit atje. Ju jeni dëshmitar se si shtetas tanë që kanë bërë konvertimin e targave kanë qenë të atakuar dhe kjo natyrisht se është një brenga e jona. Duke pasur parasysh përvojat e kaluara, vlerësojmë se mund të ketë edhe rreziqe të tjera”, tha Sveçla.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë shkallëzimin e sanksioneve për qytetarët që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS, deri më 31 tetor.
Ky vendim është marrë të premten në mbledhjen e 103-të të Qeverisë.
“Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo GJA, janë targa ilegale. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale t’i kthejnë në targa zyrtare  RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme, me ministrinë e linjës dhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim, i cili  bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi”, ka thënë Kurti.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntori deri më 21 nëntor 2022, do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se nëpërmjet këtij sekuencim dhe shkallëzim, Qeveria tregon seriozitetin që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e në të njëjtën kohë t’u japin shanse të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen./21Media 

Back to top button