Sveçla para ministrave të Brendshëm të BE-së: Sanksionimi i Serbisë parandalon përsëritjen e sulmeve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në Forumin e Ministrave të Brendshëm të mbajtur të enjten nën organizimin e Presidencës spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka theksuar sanksionimin e Serbisë si parandalim që sulmet si ai në Banjskë më 24 shtator të mos përsëriten.

Sveçla ka deklaruar se në këtë forum kanë diskutuar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëritë tona, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

“Në fjalën time theksova angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, veçanërisht duke njohur faktin që institucionet tona dhe zyrtarët tanë, prej më shumë se dy vitesh janë ballafaquar me sulme të njëpasnjëshme terroriste në veriun e vendit tonë. Duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën Rreshter Afrim Bunjaku, ritheksova rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet e tilla të mos përsëriten më”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Minsitri po ashtu ka njoftuar se ka prezantuar angazhimet e institucioneve të Kosovës në fushën e drogave, migrimit, azilit dhe menaxhimit të integruar të kufirit si në aspektin e legjislacionit, i cili është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së, bashkëpunimin me shtetet e rajonit në këto dhe me Agjencitë e BE-së në këto fusha./21Media
.

Back to top button