Sveçla përgëzon policinë për aksionin “TOTO”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përgëzoi Inspektoratin Policor dhe Policinë e Kosovës për aksionin e mbrëmshëm në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, i zhvilluar në disa komuna të Republikës së Kosovës.
Ai përmes një postimi në rrjetet sociale tha se lufta ndaj krimit të organizuar dhe të çdo lloj krimi tjetër do të vazhdojë.
“Nuk mund dhe nuk do të lejojmë asesi të keqpërdoret misioni për t’u shërbyer qytetarëve. Siç edhe jemi zotuar, po punojmë në vazhdimësi për ngritje të efikasitetit por edhe të integritetit brenda secilit institucion andaj aksioni i mbrëmshëm e dëshmon vullnetin dhe gatishmërinë për të jetësuar këtë. Mirëqenia dhe siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë prioritet.”, shkroi Sveçla.
Ai po ashtu ftojë qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë. “Në mënyrë që të sigurohemi që ligji sundon në çdo fushë dhe në secilin cep të Republikës së Kosovës.”, deklaroi ministri.
Policia e Kosovës ka arrestuar 13 persona të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale si fajde, detyrim e organizim i skemave piramidale dhe bixhozit.
Lidhur me këtë rast janë kontrolluar 19 lokacione, vendbanime dhe lokale, dhe në cilësi të provave janë sekuestruar para të gatshme – 55 mijë 388 euro, 1 mijë e 700 franga zvicerane, 50 mijë lekë, 100 dollarë, 1 mijë e 320 dinarë serb, dy armë (një e shkurtë dhe një gjysmë- automatike), 39 copë municion, 29 telefona mobil, një llaptop, dy USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura./21Media

Back to top button