​Partitë opozitare lëshojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Partitë opozitare lëshuan mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se ky veprim është arrogant, i cili cënon të drejtën e 25 mijë mësimdhënësve.
“Në fillim të mbledhjes thamë se nuk do të marrim pjesë. Do të ngrejmë një kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Enis Spahiut. Në këtë moment është vetëm duke u dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale”, ka thënë ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se Qeveria në mënyrë arbitrare nuk po realizon këto pagesa për 25 mijë mësimdhënësit.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se janë duke përcjell situatën me rrethanat e krijuara nga greva. Ajo u bëri thirrje SBASHK-ut dhe mësimdhënësve që të jenë në një vijë me kompensimin e orëve.
“Të vendosësh apo ngarkosh ata më të lëndueshmit me një çështje që tashmë është bërë tepër e rëndë për shoqërinë, është një situatë e papranueshme”, tha Kusari-Lila.

Back to top button