Sveçla: Policia dhe zyrtarët zgjedhorë u sulmuan me shok bomba

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se “zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik”.
Sveçla ka thënë se “sulmet si ky i ditës së sotme, janë të papranueshme”.
“Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka shkruar në Facebook se “e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të cenohet nga askush”.
“Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare. Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush”, ka shkruar Sveçla.
Më tej, Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve që u përfshinë në këto sulme.
“Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, përfundon shkrimi i Sveçles./21Media

Back to top button