Sveçla: Policia e Kosovës s’do të jetë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni

Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren. IPK ka raportuar se pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra policë dhe disa doganierë.
Lidhur me këtë ka reaguar ministry i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në “Facebook”.
“Policia e Kosovës renditet si institucioni i dytë më i besueshëm për qytetarët dhe kjo natyrisht është falë punës së zyrtarëve policor dhe jo vetëm. Ne jemi zotuar që këtë vlerësim do ta ruajmë dhe do të punojmë maksimalisht që ta ngrisim më lartë. Në kuadër të kësaj, të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni”, ka reaguar ai.
Sveçla ka thënë se si Ministër i Punëve të Brendshme, “do të vazhdojë të jap mbështetjen e tij maksimale për secilin zyrtar policor veç e veç dhe për Policinë në tërësi në arritjen e qëllimeve të tyre madhore për të garantuar rend, ligj e siguri për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Ministri Sveçla tutje ka përgëzuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe institucionet vartëse të MPB-së të cilët sipas tij me seriozitet dhe ndershmëri punojnë maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre.
“Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë. Në kuadër të kësaj, kushdo që cënon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button