Sveçla: Policia është një, të gjithë pjesëtarët duhet të kenë të njëjtin mision
(Lajm i përditësuar)
Pas suspendimit të drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurtë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Sveçla ka theksuar se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës është cënim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit i vendit.
“Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, ka thënë Sveçla në një postim në “Facebook”.
Suspendohet drejtori rajonal i Mitrovicës në Veri
U.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së, sot ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës në Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
Siç ka informuar Policia, suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
“Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës para disa orësh ka rekomanduar suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka thënë se nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat. “Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.”, është bërë e ditur në njoftimin e Inspektoratit./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?