Sveçla: Prokuroria liroi njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë në Leposaviq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi zyrtarët policor u sulmuan mbrëmë në Leposaviq gjatë një aksioni kundër kontrabandës. Sveçla deklaroi se zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Ai tha se edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria Speciale “nuk u përgjigj pozitivisht”. Ai përmend se njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë u lirua nga prokuroria themelore.
“Kur organet e rendit ndërmarrin veprime kundër krimit të organizuar, ky veprim duhet të jetë i menduar mirë dhe i vendosur. Krimi i organizuar zhvillohet kur organet e rendit dhe drejtësisë hezitojnë. Kohët e fundit, policia e Kosovës, në çdo orë të ditës e të natës, ka qenë në krye të detyrës për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj kontrabandës. Për ta kryer detyrimin, policëve tanë u duhet të rrezikojnë edhe jetën”, ka shkruar Sveçla.
“Në rastin e natës së shkuar, pas sulmit të kryer prej kontrabandistëve mbi patrullën e policisë, policët tanë e kryen më së miri operacionin. Të dy kontrabanduesit u ndaluan. Por u desh edhe ndërhyrja e njësisë speciale për kthimin e tyre. 5 nga policët u lënduan dhe dy prej autoveturave të policisë u dëmtuan. Zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e prokurorisë themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë”, shtoi tuje ministri.
Sipas Sveçles, hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, “përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe rritje të vetëbesimit tek ta”.
“Duhet të ndodhë e kundërta, organet e drejtësisë duhet të jenë të vendosura dhe krimi të hezitojë. Kriminelët nuk duhet të mendojnë se mund të sulmojnë policinë e pastaj t’ia hedhin paq. Organet e shtetit, të rendit dhe të drejtësisë kanë vetëm një qëllim: ta kthejnë rendin dhe sigurinë në normalitet, por jo sulmin ndaj policisë sonë e as thyerjen e rregullave e ligjeve”
Mbrëmë në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviqit, përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile. Pesë zyrtarë policor kanë marrë trajtim mjekësor kurse vetura zyrtare është dëmtuar.
Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990)./21Media

Back to top button