Sveçla: Provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk do të ndalen

Pavarësisht situatës së lehtësuar në veri, provokimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalen, kështu ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla në një intervistë për “20 Minutes”.
Sveçla ka shtuar se veprimet që janë parë të ndërmerren nga Serbia në muajin e fundit, kanë pasur ndikim rus jo për ta destabilizuar veriun, por të gjithë vendin.

“Jemi të bindur se provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk do të ndalen. Ne kemi parë një përzierje të veprimeve të ndryshme destabilizuese në katër komunat veriore gjatë ditëve të fundit nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe presidentit Vuçiq. Ndikimi erdhi në formën e mobilizimit, financimit dhe mbështetjes logjistike. Përveç kësaj, ishin forcat e armatosura serbe, të cilat ishin vendosur në kufi si kërcënim. Sigurisht që ka pasur ndikim edhe nga Rusia si dhe nga organizatat kriminale në rajon, të cilat për vite me radhë e kanë keqpërdorur veriun e Kosovës si pikë transporti për mallra, drogë, madje edhe njerëz dhe kanë mundur të nxjerrin fitime të mëdha. Të gjithë këta faktorë janë kombinuar për të destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës, por të gjithë vendin”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se ka pasur arsye për shqetësim, por jo për frikësim, teksa u pyet nëse priste që Serbia ta pushtonte Kosovën./21Media
Back to top button