Sveçla reagon pas publikimit të videos së një të ndaluari në Mitrovicë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas publikimit të një videoje të një të arrestuari teksa ndodhej në ndalim në Mitrovicë.
Sveçla ka thënë se incizimi i të arrestuarit apo burgosurit është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Ai ka thënë se zyrtari policor që ka kryer veprimin është suspenduar mbrëmë.
“Çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë. Ky për ne është një parim themelor i cili vlen ndaj të gjithëve dhe pa dallim etnie. Mbrëmë përmes mediave kam parë videon denigruese ndaj një të arrestuari teksa ndodhej në ndalim në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut. Zyrtari Policor i cili ka kryer këtë akt, mbrëmë është suspenduar nga detyra dhe po vijojnë procedurat hetimore nga IPK. Kam përgëzuar dhe vazhdoj të përgëzoj secilin aksion të organeve tona që bëhet me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë e të sigurtë, për mirëqenie, barazi e drejtësi për të gjithë dhe pa dallim. Mirëpo, incizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion. Prandaj, pa asnjë hezitim dje kam ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai ka folur edhe për situatën në veri, që ka thënë se vazhdon të jetë e brishtë.
“Situata e sigurisë në veriun e vendit tonë vijon të mbetet e brishtë mirëpo përkundër të gjitha rrethanave dhe sfidave me të cilat ballafaqohemi, Policia e Kosovës dhe të gjithë akterët e sigurisë po vazhdojnë të angazhohen maksimalisht dhe suksesshëm për ofrimin e sigurisë për vendin dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Republika e Kosovës vlerësohet nga të gjithë si shteti më demokratik në Ballkan, duke ruajtur dhe promovuar vlerat dhe parimet bazë të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Sveçla.
“Në një rast të fundit, ku është shpërndarë një video e një të dyshuari të arrestuar, nën dyshimin se ka shkelje disiplinore në këtë rast nga një zyrtar policor, duke u bazuar në udhëzimin përkatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari policor, i cili me vendim të drejtorit rajonal është suspenduar. Ky rast do të trajtohet bazuar në procedurat policore dhe po ashtu është proceduar për hetim dhe kompetencë të mëtejme në IPK. Policia me këtë rast zotohet se do të vazhdojë të jetë në krye të realizimit të detyrave në ruajtje të rendit e qetësisë publike, ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, vënien para drejtësisë të të gjithë të dyshuarve dhe këto do t’i arrijë me profesionalizëm dhe integritet”, është njoftuar nga Policia./21Media