Sveçla takon një delegacion amerikan, diskutojnë për procesin e strehimit të afganëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim një delegacion amerikan, me ç’rast kanë diskutuar mbi ecurinë e procesit të pranimit dhe strehimit të shtetasve afganë në kuadër të 1 vjetorit të fillimit të këtij procesi.
Sipas MPB-së, Republika e Kosovës deri më tash ka zhvilluar me sukses këtë operacion falë angazhimit të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, si aleatët tanë kryesorë jo vetëm në këtë proces por edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.
Sipas një njoftimi të MPB-së, delegacioni amerikan është përbërë nga David Johnson, Ambasador dhe Negociator Special për Çështjet e Zhvendosjes, Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Steven Naplan, zv. Negociator Special për Çështjet e Zhvendosjes dhe Kyle Hatcher, Koordinator për Refugjatet në Ambasadën Amerikane në Kosovë.
Ministri Sveçla ka falënderuar delegacionin dhe ka ritheksuar gatishmërinë për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

Back to top button