Sylejman Selimi është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit

Sylejman Selimi sot është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare, Sylejman Selimi sot ka dhënë deklaratën e tij për Gjykatën Speciale në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Tomë Gashi.

Në një konferencë për media, Gashi ka treguar se Selimi është marrë  marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.

“Ka qenë i ftuar që të jap dëshminë e tij dhe sot e ka dhënë dëshminë e tij rreth orës 9:00 në zyret e EULEX-it. Nuk ka qenë kurrë kërkesa për ta intervistuar në Hagë, prokurori përgjegjës ka qenë këtu në kohën e intervistimit. Është intervistuar si i dyshuar. Marrja në pyetje e secilit që është i dyshimtë konsiderohet konfidenciale dhe do ti thyente ligjet”, ka thënë Gashi.

Ndër të tjera, Gashi ka thënë se Selimi ka pranuar pyetje të përgjithshme dhe përgjigjet e tij kanë qenë të tilla.

“Unë nuk mund të them për cilat raste është pyetur. Ka qenë marrje në pyetje e përgjithshme dhe përgjigjet kanë qenë të tilla. Nuk ka kurrfarë arsye juridike që të ngritët aktakuzë ndaj tij”, ka deklaruar Gashi.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000./21Media 

Back to top button