Sylejman Selimi vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në
Është pritur nga Burim Ramadani dhe Rrahman Rama
Ish-komandanti i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi ka vizituar sot Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, ku është pritur nga zëvendësministri Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Me këtë rast, ministri Ramadani ka uruar lirimin nga burgu Sylejman Selimit, duke i dëshiruar shëndet dhe qëndrim të këndshëm në mesin familjar, shokëve dhe miqve.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e ka njoftuar Selimin, me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, si dhe tranzicionin e saj në ushtri të Kosovës dhe themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Sylejman Selimi ka përgëzuar stafin e saj për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës.
Gjatë ditës, Selimi ka vizituar edhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën. Për këtë vizitë të Selimit, Mustafa ka deklaruar se është nder i veçantë. Ndër tjerash, lideri i LDK-së ka shkruar se Selimi ka dhënë kontribut të rëndësishëm për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës./21Media