Tadiq: Marrëveshja e propozuar i mundëson Kosovës ulësen në OKB
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka shkruar në Twitter se marrëveshja e propozuar përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund t’i mundësojë Kosovës anëtarësimin në OKB, edhe nëse kjo nuk thuhet shprehimisht në tekst.
Ai tha se është e papranueshme që presidenti të shprehë gatishmërinë për ta pranuar marrëveshjen pa u konsultuar me institucionet përkatëse.
“Sipas njohurive të mia për marrëveshjen që po ofrohet, edhe një herë e theksoj publikisht se një marrëveshje e tillë fare mirë mund ta mundësojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, edhe nëse nuk thuhet shprehimisht në vetë tekstin”, ka shkruar Tadiq në Twitter, njofton media serbe N1.
Një problem të ngjashëm vuri në dukje edhe lëvizja Dveri dhe koalicioni NADA. Dveri kërkon një seancë urgjente të Kuvendit, ku deputetët do të njoftoheshin nga presidenti Vuçiq për detajet e planit franko-gjerman për Kosovën “si dhe rreziqet dhe sfidat që do t’i viheshin Serbisë nëse nuk e pranonte atë propozim”./21Media