Tahiri ankohet në BE për ndalesën e Jahjagës në Serbi

Sipas Tahirit Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj gjenocidale ndaj shqiptarëve

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish-Presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve.

Ajo ka thënë se Atifete Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe se vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare, për të paraqitur tragjedinë e grave të mbijetuara nga dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë nga ana e forcave serbe, në një ngjarje kulturore në Beograd.

Ministrja Tahiri theksoi se akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE.

Tahiri kërkoi nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur, si dhe të mundësohet kjo vizitë që është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve.

Ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga nuk iu lejua që të  marrë pjesë në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem” me ç’rast do të fliste për dhunën seksuale gjatë luftës në vend. Lidhur me këtë, Jahjaga përmes një postimi është shprehur se hyrja nuk iu lejua për arsye absurde./21Media

 

 

Back to top button