Ata që minojnë integritetin e institucioneve, s’do të mbesin pa u ndëshkuar

Është biseduar për  situatën në fushën e rendit dhe ligjit në vend

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar sot se të gjithë ata që abuzojnë me pushtetin institucional, duke shkelur autorizimet që u janë besuar, nuk do të mbesin pa u ndëshkuar.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi që pati me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, me të cilët ka biseduar për situatën në fushën e rendit dhe ligjit në vend  dhe rastin e abuzimit seksual ndaj të miturës nga Komuna e Drenasit, si një rast që cenon të drejtat themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

Krerët e institucioneve të rendit dhe ligjit vlerësuan rastin si një rast jashtëzakonisht i rëndë që shpërfaq nevojën e rritjes së llogaridhënies së institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Gjatë takimit po ashtu u kërkua që përgjigja ndaj kryerësve të këtij krimi të jetë e menjëhershme dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Të pranishmit kanë ritheksuar përkushtimin për të vazhduar fuqizimin e sektorit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke dhënë mesazh të qartë për të gjithë ata që nga jashtë apo brenda përpiqen të minojnë integritetin e institucioneve, ndaj të cilave qytetarët kanë dhe duhet të kenë besim të plotë.

Në takim po ashtu është ngritur si shqetësim edhe numri i madh i rasteve të grabitjeve të armatosura, dhe është kërkuar plan konkret nga Policia e Kosovës për të parandaluar në të ardhmen rrezikimin e sigurisë së qytetarëve nga rastet e tilla.

Back to top button