Tahiri: Do të shohim se sa do t’i mbajë flamujt në veri Kurti
(Lajm i përditësuar)
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se zgjedhjet në veri e kanë kthyer vendin prapa. Ai ka shtuar se nuk është arritur diçka me zgjedhjen e katër kryetarëve e se këta të fundit nuk po kryejnë ndonjë punë.
Ai në një konferencë për media ka theksuar se AAK-ja pati kërkuar qysh në fillim që për çështjen e zgjedhjeve në veri Qeveria të mos merrte veprime për të cilat më vonë do të kthehej pas.
“Ju them me përgjegjësi të plotë, eksperimentimi i Albin Kurtit me zgjedhjet në veri të Kosovës e ka kthyer Kosovën mbrapa. I ka dëmtuar interesat e Kosovës. I ka vendosur disa flamuj, herë më poshtë e herë më lart, flamuj të shtetit të Kosovës, e që do të shohim se sa do t’i mbajë këta flamuj zotëri Kurti në këtë proces. Ky eksperimentim është bërë për aspekt elektoral, puro politik dhe në asnjë moment institucional”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se nuk duhet lënë që të pësojë Kosova nga ky proces.
KQZ-ja të premten vendosi që më 21 prill, në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut e Zubin-Potok të votohet për shkarkimin apo jo të kryetarëve të këtyre komunave.
Tahiri: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për Projektligjin për Zyrtarët Publikë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se përmes një procesi jo-transparent ligjor dhe të mbyllur për publikun po synohet kapja e administratës së shtetit dhe partizimi i shërbimit civil.
Tahiri përmes një konference për media, ka thënë se po vazhdon eksperimentimi me ligjbërje nga kjo qeveri.
“Eksperimentimi me ligjbërje në këtë qeveri po vazhdon, duke parë që dje Qeveria ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, pa asnjë ditë konsultim publik. Kjo ishte porosia ime sot, në konferencën për media”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se po synohet kapja e administratës së shtetit dhe partizimi i shërbimit civil.
“Është tepër e qartë se përmes një procesi jo-transparent ligjor dhe të mbyllur për publikun po synohet kapja e administratës së shtetit dhe partizimi i shërbimit civil. Ne nuk do ta lejojmë këtë dhe se do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese brenda afateve ligjore”, është shprehur Tahiri.