Tahiri: Kurti të kërkojë garanci nga Escobar dhe Lajçak për Asociacionin

Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë- Serbi, Edita Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk guxon të jap kompetenca ekzekutive për Asociacionin.
Ajo i ka sygjeruar Kurtit që si hap të parë të kërkojë një letër garancie nga ndërmjetësuesit amerikanë dhe të BE-së , Escobar dhe Laicak me të cilën ata sigurojnë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë qeverisjes ne Kosovë.
“Një letër të tille unë si kryenegociatore kam arritur që ta siguroj nga Mogherini si ndërmjetësuese e BE-se me të cilën ajo ka siguruar se për BE-në Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë qeverisje në Kosovë. ”, ka shkruar Tahiri në Facebook ku ka publikuar letërn që në vitin 2015 Mogherini i dërgoi kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe mund të konsiderohet vetëm nese realizohen gjashtë kushte për të cilat ai i ka paraqitur në seancën e Kuvendit të enjtën.
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)./21Media

Back to top button