Tahiri letër Hahnit dhe Avramopoulosit për vizat

Tahiri i ka informuar Hahnin dhe Avramopoulosin për përmbushjen e obligimeve për liberalizimin e vizave

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri iu ka adresuar një letër zyrtare Komisionerit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn dhe Komisionerit për Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos,  për t’i njoftuar lidhur me aprovimin e legjislacionit tepër të rëndësishëm për reformimin e sektorit të drejtësisë dhe përmbushjes së obligimeve të dala nga procesi i liberalizimit të vizave.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se përmes kësaj letre ka theksuar se janë përmbushur të gjitha kërkesat e dala për liberalizimin e vizave dhe po ashtu që ndryshimet legjislative janë përmbushje e obligimeve të dala edhe nga Plani Vjetori i Qeverisë për vitin 2018, Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Plani Zhvillimor Strategjik i Ministrisë së Drejtësisë 2018-2021 si dhe adresojnë gjetjet e Raporteve të Vendit të Komisionit Evropian për vitin 2016 dhe 2018.

“Sot i kam adresuar një letër zyrtare Komisionerit për Politika të Fqinjësisë së Mirë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Komisionerit për Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, për t’i informuar për përmbushjen e obligimeve të dala nga procesi për liberalizimin e vizave.  Kam ritheksuar përkushtimin tim për të fuqizuar sundimin e ligjit në zbatimin edhe në praktikë të legjislacionit që kemi ndryshuar e që është bazë për reformat në drejtësi, për promovimin dhe avancimin e efikasitetit, efektivitetit dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. Duke pasur synim shtetëror integrimin evropian, besojmë fuqishëm se me ndihmën e Komisionit Evropian do të mundësojmë që sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, efikas, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në gjithë territorin e vendit.”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Letra e ministrit Tahiri:

“Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar të vazhdoj përmbushjen e prioriteteve qeveritare dhe të marrë masat e duhura për fuqizimin e sektorit të sundimit të ligjit  dhe po ashtu në zbatimin e këtyre ligjeve edhe në praktikë. Për më shumë, Ministria e Drejtësisë do t’i jap përparësi politikave që synojnë promovimin dhe avancimin e efikasitetit dhe efektivitetit të punës së institucioneve të drejtësisë dhe fuqizimit të llogaridhënies. Duke parë rëndësinë që kanë reformat në drejtësi për liberalizimin e vizave, Ministri Tahiri ka njoftuar Komisionerët se më 23 nëntor, Kuvendi ka miratuar Kodin Penal, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale, atë  për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, për Këshillin Gjyqësor, për Noterinë, Ligjin për Amendamentin dhe Plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë si dhe Ligjin për Amendamentin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Jo-Kontestimore. Ne besojmë në vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv dhe në marrjen e asistencës së nevojshme për të mbështetur edhe më tutje institucionet e drejtësisë, në mënyrë që vetë sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, efikas, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në gjithë territorin e vendit. Andaj, më lejoni të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e dhënë për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.

Hahn, para pak ditësh ka qëndruar në Serbi dhe Kosovë për vizitë zyrtare. Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Hahn ka thënë se ndjehet i zhgënjyer me taksën ndaj mallrave të Serbisë, ndërkohë që ka folur edhe për liberalizimin e Kosovës. Komisioneri Hahn ka thënë që merr kohë që të miratohen të gjitha dispozitat ligjore. Sipas tij, data më reale për liberalizim është viti 2020./21Media

Back to top button