Tahiri: Momentum i jashtëzakonshëm për Kosovën për të arritur marrëveshje finale me njohje reciproke

Shefi i grupi parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se “Qeveria duhet të jetë shumë më transparente edhe ndaj partive parlamentare”. Ai tha për RTV21 se “synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe gjithësesi të qenit vend i barabartë me të gjitha vendet e pavarura”.
“Janë dy momente shumë të rëndësishme për Kosovën, e para duhet të kuptohet rëndësia dhe momentumi i jashtëzakonshëm për Kosovën për të arritur një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse me njohje reciproke. Qeveria duhet të jetë shumë më transparente edhe ndaj partive parlamentare, por edhe ndaj qytetarëve se çka është kjo marrëveshje. Unë s’e kam pa marrëveshjen, mirëpo ajo që duhet të them është që nuk duhet të humbet ky momentum që të përmbyllet një konflikt shekullor me një marrëveshje e cila e çon një porosi të vetme – Kosova është vend i pavarur, sovran dhe e përgjegjshme në raport me synimet e veta strategjike. Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe gjithësesi të qenit vend i barabartë me të gjitha vendet e pavarura”, tha Tahiri për RTV21.
Tahiri potencon se nga Besnik Bislimi, çështja e propozimit franko-gjerman duhet të elaborohet. Pasi, siç thotë Tahiri, situata në Kosovë është shumë serioze.
“Besnik Bislimi e tha, por kjo punë duhet të elaborohet, një zv.kryeministër duhet të elaborojë në qoftë se nuk na shkon për shtati. Viola von Cramon tha që ky propozim i shkon më shumë për shtati Kosovës, tash dikush nuk është ka e thotë të vërtetën, neve na duhet një komunikim shumë serioz, për shkak se situata është shumë serioze, për shkak se situata në Kosovë është shumë serioze, për shkak se gjendja në Ballkanin Perëndimor, lufta në Ukrainë – gjitha këto kanë krijuar një momentum të ri. Ky momentum shkon në favor tonin, për shkak se argumentet e Kosovës, në raport me pavarësinë e vet, me konsolidimin e institucioneve demokratike, me të arrituar që i kemi, me gjithë lëshimet e të gjitha dobësitë që i kemi, ne mund të themi që jemi një vend që nuk dallojmë aspak nga vendet e Ballkanit Perëndimor, do të thoja edhe nga vendet e Evropës juglindore në shumë sfera”, tha Tahiri.
Tahiri shton se edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është optimist se fillimisht kjo marrëveshje, është marrëveshje ndërkombëtare.
“Ne e kemi pasur një takim në parti dhe një diskutim të thellë rreth kësaj teme. Z.Haradinaj është optimist se fillimisht kjo marrëveshje, është marrëveshje ndërkombëtare të cilës, siç u tha edhe më herët i qëndron prapa edhe aleati ynë kryesor, i përjetshëm – SHBA-të. Në këtë kuptim ne nuk duhet të ndjehemi inferior, për shkak se argumentet janë në vendin tonë, pavarësia e Kosovës është e pandryshueshme dhe nuk zhbëhet, tash çka duhet të bëjmë, është të jemi serioz, kompetent, transparent me vendimet që do t’i marrim. Ne si opozitë jemi këtu për të zhvesh një qeverisje e cila nuk ka kurrë një koncept zhvillimor, as në aspektin ekonomik e as social, një Qeveri e cila e ka një detyrë të marrur nga besimi i qytetarëve të Kosovës, që ne si parti opozitare nuk do t’i bëjmë opozitëbërje, por do të jemi aty për të dhënë mendimet tona si në Kuvend, por edhe kur ka takime të tilla, për ta diskutuar përmbajtjen, për tema terciare, detaje ne nuk do të kyçemi, mirëpo për çështje kombëtare, e kemi obligim qytetar”, potencon Tahiri.
Sa i përket vendimit të fundit të Qeverisë për targat, Tahiri tha se ky vendim është as mish e as peshk.
“Vendimi i fundit i Qeverisë Kurti, nëse e lexoni me kujdes, është një vendim as mish as peshk, një vendim diku në mes me fraza të tipit “do të qortojë qytetarët e Kosovës” – Qeveria nuk qorton, Qeveria merr vendime, kërkesa e SHBA-së ka qenë serioze, ajo kërkesë duhet të trajtohet seriozisht, secili pozicion i yni i ndërmjetë, e dobëson Kosovën”, tha Tahiri tutje.
Tahiri tha se kryeministri Albin Kurti duhet ta ndryshojë qasjen, pasi SHBA-të “zhgënjehen nga qasja jotransparente”
“SHBA-ja nuk i prish marrëdhëniet me një vend të cilin me përkushtim të madh e ka ndërtu, e ka ndihmu ndërtimin e saj. SHBA-të mund të zhgënjehen me një qasje jotransparente dhe jo të përgjegjshme, këtë duhet ta ndryshojë z.Kurti, normal kur të vjen puna e ballafaqimit me Serbinë, në çfarëdo situate, ne në Kuvend kemi qenë karshi shtetit të Kosovës, jo kryeministrit Kurti, jo Qeverisë, mirëpo detyrimit tonë që e kemi qytetarë. Ajo që duhet të themi është që, është një fatkeqësi e madhe që ka një vit e gjysmë një temë politike siç është dialogu, është kthyer në temën kryesore përderisa ai thoshte që kjo temë do të jetë pika e shtatë dhe u bë e para, është shumë dobët duke shkuar puna në Qeveri, është shumë e dobët qasja e Qeverisë në probleme reale. Tash e përfundova një takim me zyrtarë publikë, në raport me kërkesat që i kanë për ligjin e pagave, në raport me ligjin për investime publike, d.m.th kanë lënë 20%, jemi të bllokuar si shtet, e lavdërohen që është buxheti më i madh ndonjëherë, situata – kurrë më keq s’ka qenë” , përfundoi Tahiri./21Media 

Back to top button