Tahiri për Ambasadën në Jerusalem: Qëndrimet shtetërore s’ndryshojnë me ndërrimin e qeverive

 

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, deklaroi se njohja prej Izraelit hyn te njohjet më të rëndësishme të Kosovës. Pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Izrael, Tahiri në një konferencë për media tha se vendimi për të hapur atë në Jerusalem është një vendim shtetëror dhe se nuk beson se qeveria e ardhshme pritet te ndryshojë qëndrim.

Para gazetarëve, Tahiri prezantoi një kronologji të ngjarjeve që kulmuan sot me hapjen e Ambasadës, proces për të cilin ministri në detyrë i Jashtëm, tha se nuk ka qenë aspak i lehtë por që forcon shtetin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“Njohja prej shtetit të Izraelit ka qenë një ndër njohjet më të rëndësishme viteve të fundit, por do të thosha në nga njohjet më të rëndësishme që kanë ardhur përgjatë të gjitha njohjeve. Ky proces i njohjes nuk ka qenë i lehtë dhe si i tillë e ka forcuar lidhjen tonë bilaterale në mes të shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit, por në të njëjtën kohë ka forcuar edhe subjektivitetin tonë në rrafshin ndërkombëtar”, deklaroi Tahiri.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pritet të drejtojë kabinetin e ardhshëm qeveritar, kishTe thënë se do të shqyrtonte çështjen e vendndodhjes së Ambasadës sonë në Izrael, mirëpo për Tahirin kjo nuk pritet të ndodhë.

Ai tha se hapja e Ambasadës në Jerusalem ka qenë zotim shtetëror dhe qëndrimet e shteteve nuk ndryshojnë me të ndryshuar qeveria. Për më tepër, ky zotim, tha se është dhënë në Shtëpinë e Bardhë para presidentit të asaj kohe Donald Trump.

“Shtetet nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre ashtu siç ndryshojnë qeveritë dhe administratat. Ky është vendim shtetëror. Një zotim i shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, është një marrëdhënie diplomatike, e nënshkruar në formë solemne nga ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri i punëve të Jashtëm të Izraelit me prezencën e të gjitha institucioneve dhe liderëve të Kosovës, me prezencën e ambasadorit amerikan, dhe unë personalisht nuk besoj që z. Kurti do të shqyrtojë këtë temë për shkak se nuk është kjo temë e qeverive, por ky është një zotim i shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, me partnerë strategjikë si SHBA, zotim i cili po jetësohet sot”, tha Tahiri.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael është Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet, ndërsa Ambasada është rreth 500 metra larg Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem.

Tahiri, gjatë konferencës së sotme, deklaroi se më 15 mars ishte planifikuar një vizitë e ish-ministres Melia Haradinaj-Stublla në Jerusalem në inaugurimin solemn të Ambasadës, por që nuk ka udhëtuar për shkak të dorëheqjes që erdhi pas dyshimeve se ka manipuluar me vota.

Meqenëse, askush tjetër nuk mund të udhëtonte drejt Izraelit, Tahiri tha se ka udhëzuar ambasadoren Demiri që të vazhdohet me planin dhe të hapet Ambasada në Jerusalem dhe të vijojë me angazhimin e saj diplomatik.

“Duke ditur që për shkak të pandemisë askush nuk ka mundësi të jetë atje prezent, unë e kam autorizuar zonjën (Ines) Demiri që të vazhdojë me planin e paraparë që sot edhe zyrtarisht të hapet Ambasada në Jerusalem dhe të vazhdojë angazhimin e saj diplomatik në forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve dhe po ashtu në përfaqësimin e shtetit tonë. Kjo njohje dhe ky moment është një ndër momentet më të rëndësishme në formësimin e shtetndërtimit të Kosovës, për këtë i falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar deri më tani duke e ditur se unë jam në detyrë qe një javë”, deklaroi Tahiri.

Më 4 shtator të vitit 2020 me nënshkrimin e marrëveshjes në washington në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Izraeli u pajtuan për të vendosur marrëdhënie bilaterale dhe për njohje reciproke. Më 1 shkurt të këtij viti, Republika e Kosovës dhe shteti i Izraelit nënshkruan përmes një ceremonie solemne marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Menjëherë, pas marrëdhënieve diplomatike, është zbuluar edhe pllaka e Ambasadës sonë në Jerusalem nga ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit.

Back to top button