Tahiri: Qeveria e bëri një injorim të çuditshëm

 

Kuvendi sot nuk e kaloi rezolutën e propozuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Benik Tahiri që kishte të bënte me faljen e gjobave në kohë pandemie.

Pro kësaj rezolute kanë qenë vetëm 22 vota për, 43 kundër dhe asnjë abstenim.

Megjithëkëtë, AAK thotë se nuk do të ndalen së adresuari këtë çështje. Tahiri në konferencë për media tha edhe se në seancën e sotme, ku ishte thirrur në interpelancë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, Qeveria tregoi injorim dhe anashkalim të çuditshëm ndaj kërkesës së tyre.

“Ajo çka pamë sot është që qeveria e bëri një injorim dhe anashkalim jashtëzakonisht të çuditshëm ndaj kërkesës së grupit tonë parlamentar për faljen e borxheve për bizneset në kohë pandemie. Nëse e shikojmë debatin shohim që sot ishte kulminacioni i një injorimi të votës qytetare duke u thirrur në arrogancën e numrave dhe duke u thirrur në vota. Përgjatë fushatës zgjedhore të gjitha partitë politike pa asnjë dallim kanë mbajtur takime me mbi 50 njerëz kundërligjshme dhe kanë mbajtur vetë Vetëvendosje me mbi 5 mijë qytetarë dhe nuk ka pasur asnjë ndëshkim dhe gjobë., kundërligjshëm janë paguar 11 milionë euro për keqpërdorim të bëra në veri ndërsa sot nuk u mbështet rezoluta në përkrahje të qytetarëve të vendit që janë taksapagues të rregullt të vendit”, tha Tahiri.

Tahiri para gazetarëve përmendi edhe një votim të vitit 2015-të për falje të borxheve e që pjesë e kësaj ishin dhe deputetët të Vetëvendosjes.

“Kjo qeveri ka ardh në pushtet në emër të barazisë, por ndoshta kjo është barazia për ta, por jo për ne[…] është plotësisht e palogjikshme, e padrejtë dhe e pasinqertë që të thuhet se ne nuk e votojmë dhe nuk falim borxhe. Ne kemi transkriptin e datës 22 korrik të vitit 2015 kur në Kuvendin e Kosovës sot paritë e cila udhëheq qeverinë ka votuar për faljen e borxheve këtë votim e ka bërë vetë edhe kryeministri dhe kryeparlamentari dhe deputetë të tjerë të Vetëvendosjes”, u shpreh ai.

Ai ka theksuar edhe se me debatin e sotëm se mashtrimi vetëm po thellohet.

“Si AAK ne nuk do të ndalemi në adresimin e kësaj çështje , bashkë me grupet parlamentare të opozitës por edhe të pozitës kushdo që i bashkohet iniciativës sonë d o të nisim nismën legjislativ në Kuvend për faljen e borxheve. Për ne është e papranueshme, është jashtëzakonisht e papërgjegjshme që të jemi dëshmitarë të ikjes së pushtetit nga përgjegjësia që kanë para qytetarëve të Kosovës. Ajo që pamë sot është që mashtrimi vetëm po thellohet”, theksoi ai.

Back to top button