Kosova zhvillon sot miqësoren e dytë kundër Maltës

 

E pozicionuar në vendin e 120 në ranglistën e FIFA-s, Kosova do të zhvillojë sot ndeshjen e dytë miqësore kundër Maltës në stadiumin “Wwrthersee”, të Klagenfurtit të Austrisë.

“Dardanët”, kanë fituar shtatë nga tetë ndeshjet e fundit kundër kombëtareve që ranglistën e FIFA-së gjenden më poshtë se ata, ku dy nga fitoret e regjistruara erdhën pikërisht kundër Maltës me një diferencë prej dy golave në rezultat.

Që nga koha kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s me të drejta të plota, lojtarët e Bernard Challandes kanë humbur vetëm një ndeshje në 10 miqësoret e zhvilluara, respektivisht duke regjistruar tetë fitore, një barazim dhe një humbje, si dhe duke e mbajtur portën e paprekur në dy prej këtyre ndeshjeve.

“Dardanët”, në këtë miqësore hyjnë nga fitorja e thellë 4:1 kundër San Marinos, ku të katër golat u shënuan nga sulmuesi i Lazios, shtatlarti Vedat Muriqi.

Pas miqësores së sotme, Kosova do të zhvillojë edhe dy miqësore të tjera. Njërën kundër Kombëtares së Guinesë më 8 qershor dhe të fundit do ta zhvillojë kundër Gambisë më datën 11 qershor.

Ndeshjen e parë zyrtare “Dardanët”, do ta zhvillojnë kundër Gjeorgjisë si mysafirë më datën 2 shtator, e vlefshme kjo për kualifikime në Kampionatin Botëror.

Back to top button