Tahiri: Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mos preket

Vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, për Kuvendin se Ligji për Zyrtarët Publik nuk mund të dekretohet, nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Gjykatës, e ka quajtur inkurajues shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri
Ai tha se ky është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti.
“Ligji për Zyrtarët Publik nuk mund të dekretohet! Njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin se Ligji për Zyrtarët Publik nuk mund të dekretohet, nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Gjykatës, është një lajm shumë inkurajues. Ky është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tutje, Tahiri tregoi se e ka cekur në Kuvend, që nuk mund të bëhet asnjë reformë e administratës shtetërore duke shkelur kushtetutën e vendit tonë.
“E kam thënë në Kuvend shumë herë se nuk mund të bëhet asnjë reformë e administratës shtetërore duke shkelur kushtetutën e vendit tonë, duke shkelur rëndë dhe pamëshirshëm të drejtat e njeriut, duke shkelur çdo parim të SIGMA-s dhe të Bashkimit Evropian dhe duke shkelur edhe vetë MSA-në e Kosovës me BE-në. Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mbesë. Ligji për Zyrtarët Publik fatkeqësisht në mënyrë flagrante i shkel rëndë të gjitha këto”, përfundoi ai./21Media
Back to top button