Takimi Ahmeti – Zaev, kërkohet mënyrë për debllokimin e Kuvendit

Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev sot u takuan në Kuvend

Zaev nuk dëshiroi të prononcohej para kamerave, por tha se po punojnë në hapat e ardhshëm për debllokimin e organit ligjvënës dhe se çdo ditë takohet me liderët e partive të shumicës parlamentare me qëllim që të merren vesh se a ia vlen të kyçen në debat parlamentar apo të heshtin. Informacionin për takimin Ahmeti – Zaev për TV21 e konfirmuan edhe nga kabineti i BDI-së prej nga thonë se liderët partiakë me gjasë kanë biseduar për opsionet e mundshme për debllokimin e Kuvendit. Megjithatë, për momentin nuk zbulojnë më shumë detaje.

LSDM konfirmoi edhe zyrtarisht se rregullisht janë mbajtur takime. Lubço Nikollovski thotë se kanë plan dhe strategji dhe se kryetari i kuvendit mund të zgjidhet së shpejti.

“Të dy janë deputetë në Kuvend. Ashtu siç janë takuar deri më tani, takimet ndërmjet kryetarëve të partive politike që e përbëjnë shumicën parlamentare do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Secila ditë mund të jetë dita kur mund të zgjidhet kryetari i kuvendit. Ai do t’i shpallë zgjedhjet lokale dhe do ta hapë rrugën për zgjedhjen e qeverisë së re demokratike dhe reformuese”, u shpreh Lubço Nikollovski, nga LSDM.

Para ca ditësh, pati njoftime për takim ndërmjet Gurevskit dhe Zaevit për dalje nga kriza politike dhe institucionale, por nga partitë e tyre demantuan se ka pasur ndonjë takim. Mbrëmë, VMRO-DPMNE apeloi për takim liderësh, LSDM refuzoi, ndërsa nga BDI thanë se janë të hapur për një opsion të tillë. Sot Nikolla Gruevski përsëri e porositi Zaevin se zgjidhja e vetme për dalje nga kjo situatë janë zgjedhjet e reja.

“Zgjidhja më e mirë për dalje nga kjo situatë është të shkohet sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale, të cilat, meqë ra fjala, u shtynë për shkak të veprimeve të LSDM-së. Në fushatë, LSDM le të del të thotë se çfarë ka pranuar nga Platforma e Tiranës dhe nëse qytetarët e pranojnë, atëherë le të formojë qeveri”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE.

Derisa kërkohet mënyrë për debllokimin e Kuvendit, vazhdimi i 18 i seancës konstituive vazhdoi me replika dhe kundër-replika ndërmjet deputetëve të VMRO-DPMNE-së rreth deklaratës së përbashkët të partive shqiptare. Nga partitë shqiptare i porositën se ajo nuk është në dëm të maqedonasve.

“Në fjalimin tuaj e përmendët rastin se shqiptarët përmes deklaratës synojnë që popullin maqedonas ta trajtojnë si popull gjenocidal, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Vesel Memedi, nga Aleanca për Shqiptarët.

Deputetët akoma janë larg përfundimit të diskutimit për dy pikat e rendit ditor: atë për zgjedhjen e Komisionit për zgjedhje dhe emërime dhe kryetarin e kuvendit.

Back to top button