Takimi SHBA – Rusi, nuk shënohet ndonjë arritje në dialog

Diplomatët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, kanë zhvilluar bisedime në Gjenevë, në një përpjeke të vazhdueshme për të lehtësuar tensionet e ngritura prej javësh, mes shqetësimeve se Rusia do ta pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve për pasoja të rënda.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takuan në përpjekje që të shmangin një luftë të mundshme në Evropë.
Në disa deklarime menjëherë pas takimit, Lavrov ka thënë se shpreson që “emocionet do të ulen”, pas bisedimeve “të sinqerta” me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë “të hapura” dhe “të dobishme”, ndonëse nuk është arritur te ndonjë pikë kthese në bisedime.
As bisedimet e disa ditëve më parë nuk kanë arritur të krijojnë një urë për të tejkaluar ndasitë në mes të kryeqyteteve të Perëndimit dhe Moskës.
Blinken, në anën tjetër, ka paralajmëruar për kundërpërgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën, por theksoi se Uashingtoni mbetet i hapur për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në Krime dhe pranë kufijve të Ukrainës, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.
Para takimit të Gjenevës, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Rusia “nuk ka frikë nga askush, madje as nga SHBA-ja”, duke iu përgjigjur një pyetjeje të CBS News nëse “Ukraina e frikëson Rusinë”.
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha më herët se Rusia po rekrutonte në mënyrë aktive “mercenarë” dhe po i dërgonte ata për stërvitje intensive në zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.
Shtetet e Bashkuara nuk presin t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me Rusinë për Ukrainën në bisedimet në Gjenevë, por presin të shohin nëse diplomacia mbetet një opsion i zbatueshëm, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pas mbërritjes në takim.
“Ky është një moment kritik. Ju keni të drejtë: ne nuk presim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona këtu sot”, tha Blinken në fjalën e hapjes për bisedimet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Por, unë shpresoj dhe pres që ne të mund të shohim nëse rruga e diplomacisë, e dialogut, mbetet e hapur. Ne jemi të përkushtuar për të ecur në atë rrugë, për t’i zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore”, shtoi Blinken.
Që para nisjes për në Gjenevë, Blinken kishte theksuar se nuk parashikon një përparim në këto bisedime, të cilat, siç tha ai, duke pasur parasysh gjendjen ku ndodhen bisedimet, duhet të eksplorojnë nëse mund të vazhdohet vërtet të ndiqet rruga diplomatike për zgjidhjen e kësaj krize./21Media

Back to top button