Subvencioni 75 milionësh për rrymën, Murat tregon se ku do t’i marrin mjetet

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, ende nuk ka vendosur se prej cilit kod buxhetor do t’i sigurojë mjetet e zotuara prej 75 milionë eurosh për subvencionimin e tarifave të shtrenjtuara për rrymën e shpenzuar deri në 600 kWH.
Ministri Murati ka theksuar se nuk kanë planifikuar mjete buxhetore për krizën energjetike me buxhetin e vitit 2022, mirëpo sipas tij, këto para do të sigurohen nga mjetet e kontigjencës ose nga Pakoja e ringjalljes ekonomike.
“Kjo është një situatë emergjente dhe nuk është se kemi mundur ta parashohim një shumë të tillë në buxhetin të cilin e kemi dorëzuar në Kuvend në fund të tetorit. Mjetet duhet t’i sigurojmë, sepse ka linja buxhetore të kontigjencës, ka linja edhe nga Pako e ringjalljes ekonomike, sepse duhet pasur parasysh se mbështetja për të pasur furnizim të rregullt nënkupton edhe mbarëvajtje të ekonomisë në një formë. Në anën tjetër, nëse kthehen reduktimet ose çmimi shtrenjtohet në nivel të papërballueshëm kjo shkakton probleme zinxhirë edhe në ekonominë e vendit”, ka thënë Murati.
Murati, në një konferencë për media ka ngritur çështjen e mosmiratimit të marrëveshjes ndërkombëtare, për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.
Për marrëveshjen rreth 47 milionë euro, ministri Murati ka theksuar se sot pasdite do të realizojnë një takim virtual me drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore për mundësinë, siç ka thënë ai, të vazhdimit tutje të kësaj marrëveshjeje.
“Sa i përket hapave të radhës, normalisht që kjo nuk është sinjal i mirë në raport me bashkëpunëtorët tanë, sidomos me Bankën Botërore. Megjithatë unë sot kam caktuar një takim në orën 16:00 që të kemi një takim virtual me drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore për rajonin në mënyrë që të shohim se a mund të ripërsëritim apo si mund të vazhdojmë tutje për shkak se bëhet fjalë edhe për afate kohore të cilat duhet t’i respektojmë… Nëse nuk miratohet marrëveshja e tillë deri në qershor, fondet skadojnë dhe mbesin të pashfrytëzuara”, ka thënë ai.
Murati ka deklaruar se rrëzimi i marrëveshjes ndërkombëtare nga LDK-ja ishte i papritur.
“Për mua ishte një veprim i papritur, për rrëzimin e marrëveshjes financiare ndërkombëtare për reformimin e sistemit të asistencës sociale. Dhe kjo marrëveshje u rrëzua për shkak se Grupi Parlamentar i LDK-së votoi kundër. Në të kaluarën ka pasur raste që grupet parlamentare s’kanë marrë pjesë fare në votim për të mos e mundësuar formimin e kuorumit dhe kësisoj marrëveshjet janë shtyrë për seancën e radhës, por nuk ka ndodhur asnjë herë që me vota kundër një marrëveshje ndërkombëtare financiare të rrëzohet siç ndodhi sot… U tha që ne kinse i kemi kundërshtuar marrëveshjet e tilla dhe kemi vepruar ngjashëm. Po ashtu u tha që në të kulluarën nuk ka ndodhur asnjë herë që të hyhet në marrëveshje të tilla për të financuar skemat sociale, pra, që të dyja janë të pavërteta”, ka shtuar Murati.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës deputetët kanë miratuar pesë marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Back to top button