​Takohen Ademi dhe Gashani, në fokus stadiumet dhe zhvillimi i futbollit

Kryetari i Federata së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Samir Ujkani, kanë zhvilluar një takim me ministrin e ri të Sportit, Blerim Gashani, ku është diskutuar për zhvillimin e futbollit në vend dhe bashkëpunimin institucional.

Në këtë takim, përfaqësuesit e federatës e uruan ministrin për detyrën e re, duke theksuar se fakti që në krye të këtij dikasteri ndodhet një ish-futbollist dhe njohës i sportit është pozitiv për futbollin në vend. Gjatë bisedës, ministri u njoftua për rrugëtimin dhe zhvillimin e federatës, organizimin e garave vendore si dhe për aktivitetet dhe përfaqësimin e ekipeve kombëtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në takim u theksua gjithashtu nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe federatës, duke vlerësuar rolin që futbolli ka në promovimin e shtetit në nivel ndërkombëtar. Ministri Gashani, nga ana e tij, vlerësoi punën e bërë nga federata dhe përgëzoi përfaqësuesit e saj për rezultatet dhe performancën e arritur.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte infrastruktura sportive. Përfaqësuesit e federatës theksuan se ndërtimi dhe përfundimi i stadiumeve mbetet sfidë e rëndësishme për zhvillimin e futbollit dhe për organizimin e ndeshjeve vendore dhe ndërkombëtare në kushte më të mira.

Ministri bëri të ditur se është duke zhvilluar vizita në stadiumet që janë në ndërtim dhe theksoi se këto projekte janë prioritet i ministrisë, duke shtuar se nuk do të tolerohen vonesa të pajustifikuara në realizimin e tyre.

Gjatë takimit u diskutua edhe për ndeshjet e radhës të Kosovës në kuadër të “play-off”-it për Kupës së Botës, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale për organizimin sa më të mirë të këtyre përballjeve.

Back to top button