Taksat, motori ekonomik i Qeverisë? Qeveria garanton stabilitetin e tyre

 

Taksat stabile janë garancia e Qeverisë së re për transformimin e ekonomisë. Parashikueshmëria e Qeverisë, të cilën këto ditë e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, nënkupton se Qeveria do të njoftojë me kohë nëse ndodh ndonjë ndryshim në pjesën e politikës tatimore.

“Tatimi mbi fitimin mbetet 10%. Tatimi mbi të ardhurat personale mbetet 10%. Do të ketë një ulje të caktuar të taksave me qëllim që ta stimulojmë zhvillimin e ekonomisë, posaçërisht teknologjitë e reja, teknologjitë informatike. Në vitin 2021 prej 18% do të bien në 5%, në 2022-tën në 3%, kurse në vitin 2023 – 0%”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Duke biseduar dhe duke përpiluar një sistem, Qeveria, siç ishte paralajmëruar do ta fusë edhe taksën progresive. Në të ardhmen, përfitim do të kenë edhe ndërmarrjet të cilat janë të orientuara drejt eksportit, ku gjatë importit nuk do të paguajnë TVSH për lëndët e para dhe makineritë që duhet të eksportohen.

“Në pjesën e hotelerisë dhe turizmit, para së gjithash sa u takon restoranteve, deri më tani kemi pasur dy taksa – 18% për ushqimin që e merrni me vete në shtëpi dhe 5% – për ushqimin që e hani në restorant. Kjo ishte problem i madh në këtë pjesë të biznesit, por tash do t’i barazojmë, respektivisht tatimi për të gjitha shërbimet nëpër restorante do të jetë 10%”, theksoi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Përfitim nga masat qeveritare do të kenë edhe bujqit për shkak të mundësisë për ulje të tatimit në këtë fushë, kurse ka gjasa të ketë edhe ulje prej 18% për shërbimet artizanale.  Nga pakoja e ardhshme masash do të varet – në cilin drejtim do të lëvizet ekonomia e Maqedonisë, deklaroi në “10 Minuta” të TV21, profesori universitar Nikolla Popovski. Ai nuk është i befasuar nga ulja e aktivitetit ekonomik në kushte pandemie.

“Konsumimi i reduktuar dhe prodhimi i reduktuar sjellin edhe taksa të reduktuara. Është shumë me rëndësi se sa shtytëse do të jetë politika për sektorët që kanë pësuar humbje nga pandemia, sa Qeveria do të jetë e orientuar shoqërisht ndaj punëtorëve që janë viktima të kësaj pandemia dhe si do të financohet e gjithë kjo”, tha Nikolla Popovski, profesor universitar.

Para disa ditësh Ministria e Financave ka kumtuar se ka ulje të të ardhurave në Buxhet për 13.9% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rënie mujore vërehet edhe te të ardhurat e realizuara nga taksat, duke përfshirë TVSH-në prej 14.3%, akcizat prej 25%, tatimin mbi fitimin-28.9% dhe tatimin mbi të ardhurat personale prej 10.4%. Rritje është regjistruar vetëm në pjesën e detyrimeve të importit, edhe atë prej 7.9%, raporton TV21./21Media

Back to top button