Talibanët vrasin liderin e IS që qëndron pas bombardimeve në aeroportin e Kabulit

Organizatori i grupit Shteti Islamik që mendohet se kishte planifikuar bombardimin shkatërrues të vitit 2021 në aeroportin e Kabulit është vrarë nga talibanët në pushtet në Afganistan, thonë zyrtarët amerikanë.

Nga ky bombardim në gusht u vranë 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë, ndërsa njerëzit po përpiqeshin të largoheshin nga vendi pasi talibanët morën kontrollin.

Figura e IS u vra javë më parë, por u desh kohë për të konfirmuar vdekjen e tij, thanë zyrtarët amerikanë për partnerin e lajmeve të BBC-së, CBS. Emri i tij nuk është bërë i ditur.

Zyrtarët amerikanë thanë se kishin përcaktuar përmes mbledhjes së inteligjencës dhe monitorimit të rajonit se lideri kishte vdekur, megjithëse nuk dhanë detaje të mëtejshme se si kishin mësuar se ai ishte përgjegjës për bombardimin.

“Ekspertët në qeveri kanë besim të lartë se ky individ… ishte me të vërtetë personi kryesor përgjegjës,” tha një zyrtar i lartë amerikan për CBS.

Sipas një raporti në New York Times, SHBA mësuan për vdekjen e liderit në fillim të prillit. Është e paqartë nëse ai ishte në shënjestër të talebanëve apo nëse ai u vra gjatë luftimeve të vazhdueshme midis IS dhe talebanëve, raportoi gazeta.

Të hënën, SHBA filloi të njoftonte familjet e ushtarëve të vrarë për vdekjen e liderit të IS./21Media

Back to top button