​Haxhiu: Si humanist që jam, i kam dërguar një picë në burg Armend Mujës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu u shpreh se me kërkesë të familjarëve të deputetit Armend Muja, i ka dërguar një picë këtij të fundit sa ka qenë në burg i dyshuar për rastin e akreditimit në arsimin e lartë.

Ai në foltoren e Kuvendit, pasi u përmend nga kolegu i tij partiak, Ferat Shala tha se si humanist që është i ka dërguar një picë në burg, por s’ka pasur asnjë ndikim në procesin e lirimit të tij.

“Është e vërtet, kur zotëri Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion në rastin e akreditimit, me kërkesën e familjarëve të tij ia kam dërguar një picë në stacion policor si humanist që jam. Por asnjë efekt dhe asnjë ndikim nuk e kam pasur në procesin e lirimit të tij. As nuk e di kur u dal prej burgu dhe as si ka përfunduar rasti i tij”, tha ai.

Mirëpo, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, deputeti Muja tha se ai deputetin Haxhiu nuk e ka takuar asnjëherë më herët.

“Për informim të drejtë unë zotëri Haxhiun nuk e kam takuar asnjëherë”, u shpreh ai

Shala dhe Muja përplasen në Kuvend: Bekim Haxhiu të ka sjellë picë në burg

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja është përplasur me deputetin e PDK-së, Ferat Shala në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti Muja në debatin parlamentar në zhvillimet e fundit në KEK pas arrestimit të ish-kryeshefit Nagip Krasniqi ka thënë se ky i fundit ka ndalur keqpërdorimet në KEK.

Ai ka paraqitur disa grafika që sipas tij, tregojnë greminën, në të cilën ka qenë KEK-u si dhe ka folur për arritjet e tanishme.

“S’di a pe vreni një gropë këtu kur ka ra KEK-u në greminë dhe po e shihni një maje që ka qenë në dy vitet e fundit, në kohën e Nagip Krasniqit. Ne këtu gjykojmë jo për individ por për rezultate. Ju që jeni profesionist nuk mund t’i shmangeni rezultateve…Në këtë gropë kanë kullotur shumë grupe të interesit. Ky është problemi dhe me neve nuk ka ndodh kjo, prandaj ndërmarrja ka filluar të lulëzojë”, ka thënë ai.

Por, atij i ka reaguar deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili ka akuzuar Mujën për korrupsion në procesin e mëhershëm e akreditimeve.

“Me këtë nuk replikoj, pasi kam nevojë të replikojë me kolegun tim Bekim Haxhiu, i cili kur është arrestuar ia ka dërguar një picë në stacionin policor pasha besën, duke lypur pare për të akredituar universitetet publike. Prandaj, kam replikë me Bekimin që ta pru picën në stacion të policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut për korrupsion”, është shprehur ai.

Back to top button