Taravari U.D Kryetar i ASH-së deri më 17 dhjetor/ Ende nuk e di nëse do të kandidojë për kryetar

Ziadin Sela nuk është më kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Prej sot e deri më 17 dhjetor, kur do të mbahet Kongresi i jashtëzakonshëm, ushtrues detyre kryetar i ASH-së do të jetë Arben Taravari, i cili deri sot mbante postin e nënkryetarit të partisë.

Taravari tha se nga ky Kuvend partia po del edhe më e bashkuar, ndërsa Selën vazhdoi ta quajë lider.
“Me rëndësi të jashtëzakonshme për ne është që nga ky Kuvend dhe mbas një debati të gjatë, dolëm të bashkuar dhe të unifikuar. Të gjithë deputetët dhe kryetarët e komunave së bashku me liderin e ASh-së, vazhdojmë më tutje dhe shpresojmë që të vazhdojmë të jemi shpresa e shqiptarëve për të bërë ndryshimin”- deklaroi Arben Taravari, U.D Kryetar i ASh-së.
Taravari tregoi edhe se çka do të bëjë në periudhën në vijim për të përmirësuar gjendjen e partisë.
“Ne do të vazhdojmë se bashku me z. Sela gjithkund në terren ku kemi degët dhe jemi të organizuar, të kthejmë njerëz të caktuar të cilët kanë abstenuar, të sjellim njerëz të rinj që tregojnë interes për të qenë së bashku me ne dhe shpresoj të dalim më të fortë nga kjo gjendje ku u gjendëm për fat të keq në zgjedhjet lokale në Tetovë”, pohoi Arben Taravari, U.D Kryetar i ASh-së.
Ziadin Sela pohoi se nuk do të tërhiqet nga politika e as nga ASh, sepse do të jetë veprim mosmirënjohës ndaj mbështetësve që ka ai dhe partia.
“Unë do të jem brenda politikës , aktiv në politikë dhe do të jem aty ku do të më kërkojë struktura e ASh-së dhe kryetari i ri i ASh-së”- deklaroi Ziadin Sela, Ish-Kryetar i ASh-së.
Ndonëse u zgjodh u.d kryetar i partisë, Taravari ende nuk e ka vendosur se a do të kandidiojë për kryetar më 17 dhjetor.
“Jo nuk e kam thënë ende se do të kandidoj, për këtë periudhë unë do të jem u.d deri në mbajtjen e Kongresit”, tha Arben Taravari, U.D Kryetar i ASh-së.
Sela tregoi se çfarë pret nga kryetari i ri i partisë, cilido që të jetë ai ose ajo.
“Të vazhdojë ta ndërtojë Aleancën për Shqiptarët, gjegjësisht bashkë ta ngremë të gjithë anëtarët e ASh-së. Nga ky Kuvend Qendror, ASh do të jetë më e bashkuar, më e fuqishme dhe më e pranishme në terren”- tha Ziadin Sela, Ish-Kryetar i Ash-së.
Nga funksioni kryetar i partisë Sela dha dorëheqje pas disfatës që pësoi në zgjedhjet për Këshillin komunal në Tetovë. Ditë më vonë edhe deputetja Ilire Dauti, që po ashtu vjen nga Tetova, u tërhoq nga detyra si shefe e grupit parlamentar të ASH-së. Për koordinatorin e ri partia do të vendosë ditëve në vijim, raprton TV21./21Media

Back to top button