Targat me kompromis, në radhë kompromiset tjera

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë intervistës për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka thënë se nuk do të shkonte në Bruksel për të negociuar vetëm për çështjen e targave, por atje do të shkojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Deklaratat e Kurtit pasuan një marrëveshje të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, që vlerësohet të ketë shmangur një përshkallëzim të ri të situatës në veriun e Kosovës.
“Nuk do të kisha shkuar në Bruksel nëse do të ishte fjala vetëm për targat. Unë do të shkoj në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për penalizimin e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.
Kompromisi për targat, i pranuar nga Kurti për të cilin tha se e ndërmori pas informacioneve shtesë që i dha Ambasadori amerikan Hovernier për sigurinë në veri, në Kosovë është parë si ndryshim i politikave të tij. Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara së fundmi mes Kosovës e Serbisë janë antikushtetuese.
“Çdo veprim i ndërmarr deri tash ka qenë me presionin e SHBA-së dhe ka pas sjellje shumë arrogane dhe SHBA është shprehur e zhgënjyer”, ka thënë Berisha.
Në Partinë Socialdemokrate thonë se, qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshja që nuk ka brenda për brenda njohjen reciproke dhe ka asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Nënkryetari i kësaj partie, Zgjim Hyseni thotë se, Qeveria po mundohet të arsyetoj kompromiset që po i bënë njëra pas tjetrës.
“Marrëveshja e pranume prej Besnik Bislimit është jashtëzakonisht më e dëmshme sepse e përmban edhe zotimin për asociacionin, më e dëmshme se ajo që e refuzun më herët. Është një lloj tendence dhe mënyrë për me i arsyetu kompromiset…”, ka thënë Hyseni.
Analisti politik, Fidan Ukaj ka thënë se asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është kompromisi për të cilin u nënshkrua marrëveshja për targat dhe për të cilin ka thënë se formimi i tij duhet të jetë brenda kushtetushmërisë së vendit.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, pas nënshkrimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë kanë rënë dakord për masat,për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre./21Media

Back to top button