Lirohet nga paraburgimi i dyshuari për sulmin seksual ndaj alpinistes Nikqi

I pandehuri F.B, i cili dyshohet për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi, është liruar nga masa e paraburgimit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila njoftoi se ndaj të pandehurit është ngritur aktakuzë.
“Sipas vendimit të fundit të gjyqtarit të procedurës paraprake, i pandehuri ka qenë në paraburgim deri sot. Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria nuk ka propozuar vazhdimin e paraburgimit. Andaj, i njëjti është lëshuar që të mbrohet në liri”, tha Zhuti.
Ndryshe, më 30 shtator 2022 Prokuroria Themelore në Pejë kishte njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe arrestuar F.B.
Po ashtu edhe Policia e Kosovës e kishte konfirmuar këtë rast përmes raportit 24-orësh.
“Pejë 27.09.2022 – 19:40. Raportohet se viktima femer kosovare derisa ishte duke ecur nëpër një rrugicë, nga një person mashkull i pa njohur për viktimën, është ngacmuar seksualisht pa dëshirën e saj. Në konsultim me prokurorin rasti është inicuar si me lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raportin e Policisë,
Kurse, më 1 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, të dyshuarit F.B. /BetimipërDrejtësi

Back to top button