“Koalicioni i fshehtë” mori një vendim për bizneset në Mitrovicë

 

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se koalicioni, siç e quan ai, i fshehtë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, PDK-LDK, ka marrë vendim që të punohet të dieleve në këtë komunë.

Bahtiri tha se është në kontakt me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ky vendim të anulohet si i paligjshëm.

“Në bashkëpunim dhe dakordim me ju, unë kohë më parë kam marrë vendim që e diela të jetë ditë pushimi në Mitrovicë, vendim i cili është mbështetur nga shumica absolute e pronarëve të bizneseve dhe gjithë punëtorët. Ky vendim i imi iu mundësonte punëtorëve të pushojnë të dielen dhe këtë ditë ta kalonin pranë familjeve të tyre. Mirëpo, koalicioni i fshehtë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, PDK-LDK, i përkrahur edhe nga disa gulerac të partive që janë në shuarje, kanë marrë vendim në Kuvendin Komunal që të punohet të dieleve në Mitrovicë. Unë jam në kontakt me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ky vendim i dëmshëm për qytetarët nga Kuvendi Komunal të anulohet si i paligjshëm. Po në qoftë MAPL-ja e lë në fuqi vendimin e koalicionit LDK-PDK për të punuar të dieleve, atëherë unë nuk mund ta shkeli ligjin duke refuzuar zbatimin e tij”, shkroi Bahtiri në Facebook.

Tutje Bahtiri tha se “të gjithë këtyre që për inati politike kanë marrë dhe po marrin vendime në dëm të qytetarëve, do t’ua kallxojmë vendin në zgjedhjet e ardhshme sikurse më 2013 dhe 2017”./21Media

Back to top button