Taylor Swift pranon diplomë nderi nga Universiteti i New Yorkut
Superylli Taylor Swift ka pranuar një doktoratë nderi të arteve të bukura nga Universiteti i New Yorkut të mërkurën.
E veshur me uniformën e një studenteje me rastin e diplomimit, Swift bëri shaka me mijëra të diplomuar duke thënë: Jam 90% e sigurt se arsyeja kryesore që jam këtu është sepse kam një këngë të quajtur 22.
“Unë kurrë nuk kam pasur një përvojë normale të kolegjit. Shkova në shkollën e mesme publike deri në klasën e 10-të dhe më pas përfundova arsimimin duke bërë detyrat e shtëpisë në dyshemenë e terminaleve të aeroportit”, tha Swift në fjalimin e saj para studentëve.
Këngëtarja, producentja dhe regjisorja tha se e filloi karrierën e saj muzikore në moshën 15-vjeçare, duke vizituar stacione të ndryshme radiofonike në të gjithë vendin.
Ajo vazhdoi të shiste më shumë se 100 milionë albume dhe fitoi albumin e vitit në Grammy 2021, duke u bërë artistja e parë femër që fiton tre herë këtë kategori.
“Unë nuk jam e kualifikuar për t’ju treguar se çfarë duhet të bëni. Ju keni punuar, keni sakrifikuar, studiuar dhe ëndërruar rrugën tuaj këtu sot. Unë nuk do t’ju them se çfarë të bëni sepse askush nuk e pëlqen këtë, por kurrë mos keni frikë të provoni, pamundësia është një mit”, u shpreh Swift./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?