Të arrestuarit në Telekom shkaktuan dëme mbi 320 mijë euro

 
 
Dy prej katër të arrestuarve sot në Telekomin e Kosovës, i kanë shkaktuar dëm prej 327,514 euro kësaj ndërmarrje publike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, këta dy persona dyshohet se veprat i kanë kryer në cilësi të personave zyrtar në Telekomin e Kosovës, të cilët dyshohen se gjatë zbatimit të kontratës të lidhur në mes Telekomit të Kosovës dhe operatorit ekonomik kontrata në vlerën 327,514 €, kanë keqpërdorur për përfitime personale këtë kontratë.
Ndërsa dy të dyshuarit tjerë duke vepruar në bashkëkryerje dyshohet se kanë përpiluar dhe vulosur dokumentacion të falsifikuar me përmbajtjeje të rreme, në emër të personave të tjerë.
Personat me inicialet T.M., dhe A.O., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418 të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa, personat me inicialet K.M., dhe D. Ć., dyshohen se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 të KPRK-së dhe “Mashtrimi”, nga neni 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh./21Media

Back to top button