Të burgosurit e Dubravës fillojnë procesin mësimor

Në Shkollën e Mesme Teknike “Rudina” në Qendrën Korrektuese Dubravë, e cila vepron si paralele e ndarë e Shkollës së Mesme Teknike, “Mithat Frasheri” në Gurrakoc, ka filluar procesi edukativo arsimor i gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor 2021/22.
Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se për të vazhduar shkollimin, ka pasur një interesim të mirë të të burgosurve, të cilët do të ndjekin mësimet në këto drejtime, Makineri – Saldues- Metalpunues, Makineri – Automekanik, Makineri – Instalues i Ngrohjes e Klimatizimit dhe Ujësjellësit.
Bazuar në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, çdo person i dënuar ka të drejtë në shkollim fillor dhe të mesëm në pajtim me ligjin për arsimin, andaj SHKK thotë se së bashku me MASHT-in janë kujdesur për krijimin e kushteve sa më të mira për mësim, duke i pajisur nxënësit me tekste dhe materialet e nevojshme shkollore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, çdo herë në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet në Republikën e Kosovë, synon të korrektojë dhe risocializojë të burgosurit, duke respektuar të drejtat e tyre fondamentale pa marr parasysh racën, gjuhën dhe religjionin”, thuhet në komunikatën e SHKK.
Ndryshe nga Qendra Korrektuese në Dubravë, në shkollat e tjera në tërë vendin viti i ri shkollor nuk ka filluar për shkak të grevës së mësimdhënësve./21Media

Back to top button