Të dyshuarve ose të akuzuarve do t’u ofrohet ndihmë juridike për t’i paguar avokatët

 

Të dyshuarve ose të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës të cilët provojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë për mbrojtjen e tyre dhe nuk marrin ndihmë juridike në mënyra të tjera, u miratohet ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme për pagesën e avokatit që zgjedhin vetë i cili plotëson kushtet e pranimit në listën e mbrojtësve të DHSK-së.

Kështu thotë Rregullorja e Ndihmës Juridike në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) e cila u miratua sot nga administratorja e DHSK-së, Fidelma Donlon, pas këshillimit me Kryetaren Ekaterina Trendafilova.

Siç bëhet e ditur përmes një kumtese për media, rregullorja pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë, mishëruar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe duke mundësuar miradministrim financiar të burimeve të skemës së ndihmës juridike.

Ndihma juridike mbulon pagesën e mbrojtësit dhe anëtarëve të ekipit të mbrojtësit dhe i paguhet drejtpërsëdrejti mbrojtësit.

Trendafilova e përshëndeti miratimin e Rregullores duke theksuar se Rregullorja “ngërthen parimet themelore të parapara në Ligjin tonë dhe standardet universale në drejtësinë penale, duke garantuar të drejtën e të akuzuarve për gjykim të drejtë që përfshin edhe të drejtën për mbrojtje efektive”.

Administratorja llogarit ndihmën juridike në këshillim me panelin kompetent dhe mbrojtësit duke mbajtur parasysh nivelin e kompleksitetit të çështjes dhe të shërbimeve të ofruara nga mbrojtësi në çdo fazë të procesit, ku përfshihen faza para aktakuzës, faza e procedurës paraprake, faza e gjykimit, faza e apelit në shkallë të dytë dhe faza e apelit në shkallë të tretë.

Gjithashtu kompensohen deri në një shumë të caktuar edhe shpenzimet që mund të dalin gjatë hetimeve ose si pasojë e nevojës për përkthime.

Rregullorja parashtron me transparencë mënyrën se si bëhet kërkesa për ndihmë juridike dhe çfarë dokumentesh duhet t’i dorëzohen Zyrës së Mbrojtjes. Më konkretisht, kërkesës për ndihmë juridike i duhet bashkëngjitur edhe deklarimi i mjeteve financiare”, thuhet në njoftim.

Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim rrënjësor të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme. Kërkesa për ndihmë juridike refuzohet nëse parashtruesi i kërkesës nuk bashkëpunon ose jep informacion të rremë. Në qoftë se nuk pajtohet me vendimin e Administratores, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë ta apelojë vendimin para një paneli gjykatësish.

Në Rregullore përcaktohet shuma maksimale e honorarit të ndihmës juridike dhe shpenzime të tjera që mund të kompensohen pas dorëzimit të faturave. Rregullorja përmban edhe procedurën e mbikëqyrjes dhe monitorimit prej Zyrës së Mbrojtjes të shpenzimit të ndihmës juridike.

 

 

 

 

 

 

Back to top button