Të kthehet besimi tek institucionet,prioritet, reformat në gjyqësor

Ramadani dhe Kekenovski pajtohen se administrata publike dhe mediat në shtet duhet të hiqen nga ndikimi i partive politike

Në qoftë se Qeveria e re i jep vetes epitetin “reformuese” atëherë gjëja e parë që duhet bërë është kthimi i besimit tek institucionet. Analisti Ismet Ramadani mendon se prioritet duhet të jenë reformat në Prokurorinë Publike dhe departizim i Gjyqësorit. Ramadani thotë se pikat e Platformës së partive politike shqiptare nuk duhet të shihen vetëm si diçka e thjeshtë e shkruar në fletë, por si diçka që duhet patjetër të zbatohet gjatë mandatit të qeverisë së re.

Është e qartë se një nga prioritetet kryesore të qeverisë se re duhet të jenë reformat në sistemin gjyqësor, thotë profesori Jove Kekenovski. Sipas tij, kabinetin e ri qeveritar e pret një punë e lodhshme dhe shumë serioze, për shkak se në Maqedoni për momentin nuk ka fushë që nuk është me prioritet.

“Gjëja e parë që duhet të bëhet është të vërtetohet se si është gjendja me financat. Më saktësisht të shihet se sa i madh është borxhi i Republikës së Maqedonisë. Në këtë kuptim unë jam i sigurt se nuk i dimë numrat e vërtetë, por do t’i mësojmë së shpejti”, tha Jove Kekenovski, Analist.

Ramadani dhe Kekenovski pajtohen se administrata publike dhe mediat si krijues të opinionit publik në shtet duhet të hiqen nga ndikimi i partive politike, duke u liruar nga presioni të cilin e ushtrojnë ato. Këto janë vetëm një pjesë e vërejtjeve të cilat vite me radhë përsëriten nga ana e Bashkimit Evropian dhe NATO-së./21Media

Back to top button