Të rinjtë nën 21 vjeç mos të lejohen në vende ku shërbehet alkooli

Çelaj: Duhet të marrim masa si qeveri për të mbrojtur fëmijët

Mbledhja e sotme e Qeverisë nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-zëvëndësministrit të diasporës, Arian Daci, i cili humbi jetën tragjikisht në Brezovicë më 26 janar.

Në po këtë mbledhje, ekzekutivi mori vendim që familjes Daci t’i ndahen 15 mijë euro nga rezervat e shtetit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, shprehi ndër tjerash sot shqetësimin lidhur me gjendjen e sigurisë në zonën e Hasit. Ai tha se ka marrë vesh që atje janë shtuar krimet.

“Kam takuar një delegacion të Hasit, atje janë shtuar krimet pak, në zonën e Hasit, prej Prizrenit deri në Gjakovë, sulmet në familje nëpër shpija, në të kaluarën pos Gorozubës dhe Zhurit, stacion policor kish pas edhe në Has, ata e vlerësonin që krijimi i një nënstacioni në Gjonaj e ndryshon pak gjendjen, pasi ishte bërë gati e pajetueshme, pasiguria ishte rrit në shkallë të madhe në atë zonë”, tha ai.

Për këtë ai pyeti ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa, të cilit i kërkoi të merret me këtë çështje.

Qeveria miratoi propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të qeverisë të datës 15 janar 2019 lidhur me Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Gjithashtu sot, qeveria miratoi draftin e strategjisë për të drejtat te fëmijëve 2019-2023 dhe planin e veprimit 2019-2021.

Zëvëndësiministri nga PDK-ja, Lirak Çelaj tha se duhet të marrin masa të mbrojnë fëmijët.

Ai tha se duhet kërkuar nga inspektorati të mos lejojnë fëmijët të shërbehen me pije alkoolike dhe ata që janë nën moshën 21 vjeç mos të lejohen të frekuentojnë vende të tilla.

“Duhet të marrim si qeveri, disa masa për të mbrojtë fëmijët, sepse fëmijët dhe adoleshentët po frekuentojnë kafeteritë ku shërbehet alkool, jo vetëm gjatë ditës por edhe natës, mendoj që ne duhet të marrim masa ta ndalojmë këtë punë, të kërkojmë nga inspektoriatet përkatëse që mos të lejojnë fëmijët të shërbehen me alkool, madje as mos të hyn ata që janë nën moshën 21 vjeçare, siç janë modele në shumë shtete të tjera ku nuk lejohet të hyhet kështu por edhe të merret masa për fëmijë dhe adoleshentë të cilët enden në qytet pas orës 9, të pashoqëruar nga prindërit apo ndonjë kujdestar i autorizuar”, tha ai.

Back to top button