Të shtunën fikni dritat në orën 20:30

Më 26 mars, në orën 20:30, një nga nismat më të mëdha mjedisore në botë, Ora e Tokës, do të bashkojë sërish njerëzit në gjithë globin për të treguar përkushtimin e tyre ndaj planetit Tokë.
Organizata WWF Adria i ka ftuar kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës që të fikin ndriçimin në ndonjë objekt apo pjesë të veçantë të qyteteve të tyre dhe kështu të bëhen pjesë e shënimit të kësaj dite.
“Përderisa biodiversiteti i botës po zvogëlohet në një shkallë të paprecedent, dhe rreth një milionë specie janë të kërcënuara me zhdukje, lëvizja më e madhe në botë për ruajtjen e planetit ka për qëllim të mobilizojë individët, bizneset, dhe qeveritë, të jenë pjesë e bisedimeve dhe zgjidhjeve që nevojiten për një të ardhme të qëndrueshme. Në këtë kohë sfiduese, Ora e Tokës paraqet një moment të solidarizimit, dhe një mundësi për t’u kujdesur për njëri-tjetrin e shtëpinë tonë të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Ora e Tokës, e cila filloi në vitin 2007 si ngjarje simbolike e ndaljes së dritave në Sidni të Australisë, sot shënohet në mbi 190 shtete dhe territore. Këtë vit në rajonin tonë fokusi i kësaj ngjarjeje do të jetë ngritja e vetëdijes për llojet e kafshëve të cilat po zhduken me ritëm shumë të shpejtë.
“Ftojmë të gjithë ata që duan të fikin dritat për planetin Tokë, të postojnë fotografitë e tyre me mbishkrimin #OraeTokesKosove”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, WWF është një nga organizatat më të mëdha të pavarura e më me reputacion për mbrojtjen e natyrës, me afro pesë milionë mbështetës dhe një rrjet global aktiv në më shumë se 100 shtete. Misioni i WWF është të ndalojë shkatërrimin e mjedisit natyror të Tokës, dhe të ndërtojë një të ardhme ku njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën duke ruajtur biodiversitetin botëtor, dhe duke u siguruar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të ripërtrishme, duke promovuar zvogëlimin e ndotjes dhe konsumit të tepërt./21Media

Back to top button