Teatri Kombëtar i Kosovës do t’i nënshtrohet rinovimit të plotë

Për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e kanë zgjidhur në tërësi problemin me strukturën, instalimet dhe funksionalitetin e përgjithshëm të ndërtesës, të paktën kështu e cilëson Ministria e Kulturës.
Kështu, Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë vendim që Teatri Kombëtar t’i nënshtrohet një rinovimi të plotë.
“MKRS, duke vepruar në perputhje me përfundimet profesionale e shkencore të ekspertëve, është vënë në veprim për të inicuar e zhvilluar një proces tërësor të ndërhyrjeve renovuese që do t’i adresojë të gjitha nevojat e revitalizimit, të projektimit, ekzekutimit të ndërhyrjeve dhe funksionalizimit të plotë të ndërtesës së TKK, në të cilën po ashtu ushtron veprimtarinë e vet edhe Baleti Kombëtar i Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.
“Për këtë qëllim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinerise Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike për ofrimin e ekspertizës profesionale për QRTK në Prishtinë në procesin e hartimit të projektit të konservimit/restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, shkruhej tutje në njoftim./21Media

Back to top button