“Tension” gjatë diskutimit mes Kurtit e Osmanit, nga Qeveria tregojnë se për çfarë bëhej fjalë

Në media sot u publikua një video ku thuhej se presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti janë duke zhvilluar bisedë të tensionuar në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.

Lidhur me këtë është deklaurar, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook.

Kryeziu ka shkruar se kryeministri Kurti ishte duke folur me presidenten Osmani për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj dhe deklaratës së këtij të fundit për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të Ligjit të ri për Zgjedhje.

Postimi i plotë

Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin “Drejtësi dhe Punësim”, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese.

Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023.

Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij.  /21Media

Back to top button