Tentim vrasje në Gjilan, theri me thikë dy persona dhe iku

Në orët e para të ditës së sotme ka ndodhur një tentim vrasje në Gjilan, ku një person ka therur me thikë dy të tjerë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Njëri nga të lënduarit është dërguar në gjendje të rëndë në QKUK, teksa i dyshuari ndodhet akoma në arrati.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 29.01.2023 rreth orës 02:35 ka pranuar informatë për një rast vrasje në tentativë i ndodhur në fshatin Dobërqan komuna e Gjilanit. Njësitet policore relevante menjëherë i janë përgjigjur rastit duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit. Në bazë të hetimeve fillestare dyshohet se i dyshuari kosovar shqiptar i cili ende gjendet në arrati pas një mosmarrëveshje që kishte pasur më herët, dyshohet se me një mjet të mprehtë ka sulmuar viktimat M.R. (1996) dhe L.M. (1972). Të dy të lënduarit kanë pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan dhe për shkak të natyrës së lëndimeve pas trajtimit në Qendrën Emergjente në Gjilan njërit nga të lënduarit është transferuar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë Osmani.
Policia ka bërë të ditur se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar “Vrasje në tentativë” ndërsa Njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan është duke ndërmarrë veprime hetimore në ndriçimin e rrethanave të rastit dhe arrestimin e të dyshuarit./21Media

Back to top button