Teodoroviq: Vuçiqi e di se Serbia e ka humbur Kosovën

Akademiku serb, Dushan Teodoroviq, në një intervistë për “Danasin” ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e di që “Serbia e ka humbur Kosovën, por se e shfrytëzon për poenë politikë”. Teodoroviq ka akuzuar Vuçiqin se e konsideron veten lider shpirtëror të serbëve.

“Më 24 prill, në fjalimin e tij, Aleksandar Vuçiqi akuzoi zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian për ‘rrena e mashtrime’. Nuk e di këtë, sepse s’kam marrë pjesë në takimet mes Vuçiqit dhe zyrtarëve të BE-së, por e di që Aleksandar Vuçiqi, nga fillimi, ka gënjyer dhe mashtruar qytetarët e Serbisë dhe serbët nga Kosova”, ka thënë Teodoroviq

Akademiku serb ka thënë se “nuk ka asgjë pozitive” nga pushteti i Vuçiqit.

Teodoroviq ka thënë se politika e Vuçiqit për Kosovën është vetëm për humbje kohe që ai të rrijë në pushtet sa më shumë.

“Vuçiqi e kupton mirë që Kosova është e humbur qe një kohë të gjatë, por për hir të poenëve politikë ai vazhdon ta luajë rolin e ‘asit të serbëve’ dhe në të njëjtën kohë në mënyrë të fshehtë dhe gjysmësekrete, po kryen ato për çka ka rënë dakord me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Teodoroviq.

Teodoroviq ka kujtuar se “më 1999, Serbia e ka humbur Kosovën ushtarakisht”.

“Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, populli është gënjyer sistematikisht dhe ushqeheshin histori për një lloj raportesh në mes të fuqive të mëdha në të ardhmen, që do të bënin që Kosova të jetë sërish pjesë e Serbisë. Vuçiqi do të kujdesej për serbët nga Kosova, nëse do t’ua thoshte të vërtetën. Dhe e vërteta është para nesh, thjesht jemi të frikësuar ta pranojmë. E vërteta është se sot, më 2023, Kosova është shtet i njohur nga shumica e anëtareve të BE-së, Amerika, Kanadaja, Japonia, Australia, dhe detyra jonë është që në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar, të negociojmë kushtet më të mira për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Sipas Teodoroviqit, po që se Vuçiqi do të kujdesej për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ai do ta nxirrte propozimin për statutin e tij para 10 vjetësh”.

Back to top button