Tërheqja e Trustit shqyrtohet sërish të enjten në Kuvend
Tërheqja e një pjesë të kursimeve pensionale të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) do të shqyrtohet sërish në Kuvendin e Kosovës ditën e enjte si pikë e parë e rendit të ditës. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që ka caktuar dy seanca për këtë javë. Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar, vijon ta kundërshtojë këtë iniciativë.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, deklaroi se qytetarët janë duke pritur gjatë lejimin për të tërhequr nga 10 deri në 30% të kursimeve për shkak të krizës së rëndë ekonomike.
Ai tha se kjo masë është e nevojshme pasi masat e qeverisë nuk kanë qenë adekuate ndërsa situate është rënduar për shkak të inflacionit.
“Shpresojmë që të gjithë deputetët do të reflektojnë kësaj kërkese të qytetarëve të Kosovës, është e rëndësishme për secilën familje e cila do ta zbusë sado pak gjendjen e rëndë të cilën janë duke e përballuar, e dimë inflacioni shumë i lartë, pagat janë zhvlerësuar dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet që i kanë familjet në vend, qofshin policit, arsimtarit, qofshin profesorët, mjekët, të gjithë që paguhen nga buxheti i Kosovës dhe urojmë që ditën e enjte do të kalojë në lexim të parë dhe të mos refuzohet ashtu siç është refuzuar herën e kaluar”, deklaroi Tahiri.
Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, konfirmoi se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje dhe sërish e kundërshton tërheqjen e kursimeve pensionale.
“Qëndrimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është i qartë, nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30%s-hit të Fondit të Kursimeve Pensionale, konsiderojmë se në aspektin ekonomik mund të ketë një ndjesi të zgjidhjes në aspektin afatshkurtër megjithatë në të njëjtën periudhë kohore do të ketë ndikim afatmesëm dhe afatgjatë negativ edhe në mirëqenien e qytetarëve edhe në parametra të tjerë ekonomikë, përfshirë edhe ngritjen e çmimeve, sasinë e cash-it në qarkullim dhe humbjen e sigurisë për të ardhmen për të gjithë ata që i tërheqin Fondin e Kursimeve Pensionale kur të arrijnë moshën e pensionimit”, deklaroi Kusari-Lila.
Në qershor të vitit të kaluar, përkundër debateve, propozimi për tërheqjen e kursimeve pensionale nuk kaloi.